
Matvei Petrov, gjimnasti rus i natyralizuar si shqiptar ngriti lart flamurin kuqezi pak javë më parë, duke marrë medalje ari në disiplinën e gjimnastikës artistike në kaluçin e kryqëzuar.
I ftuar në "Processi Sportiv", 31 vjeçari tregoi se ëndërron të marrë pjesë në Olimpiadë nën flasmurin kuqezi, teksa në Shqipëri duhet të rikonstruktohen palestrat sepse ai ka 26 vite që ushtron këtë sport.
"Si fillim këtu duhet të kemi një palestër dhe më pas të fillojmë me trajnimin. Gjithçka arrihet me punë, këtu mund të jenë disa palestra, por duhen rikonstruktuar , kjo është e detyrueshme.
Aktualisht niveli i gjimnastikës në Europë është shumë i lartë, nëse krahasojmë gjimnastikën e sotme me atë të 20 apo 30 viteve më parë është krejtësisht ndryshe. Si rrjedhojë që të arrish të fitosh tituj të rëndësishëm si europian apo botëror është shumë e vështirë.
Unë kam 26 vite që merrem me gjimnastikë, nga 31-vjeç që jam. Gjithashtu, prej pesë vitesh jam trajner dhe besoj se dimë si të stërvisim dhe krijojmë gjimnastë. Ne në Pragë kemi bërë sportistë nga asgjëja praktikisht.
Është ëndrra qëkur isha pesë vjeç që të marr pjesë në një Olimpiadë. Sa i përket medaljes, ndoshta nuk do të jetë e lehtë, por do të bëjmë më të mirën tone", tha Matvei Petrov.