Kampionati i Moto GP në garat me motora është 3 gara nga fundi. Pikërisht në këtë moment gara në Moto GP për titullin kampion do jetë më e ashpër se kurrë mes dy pretendentëve, Marquez dhe Dovizioso. Për këtë temë ka folur kampioni absolut i këtij sporti, Valentino Rossi. "Doktori" është ndalur tek rivaliteti mes dy pilotëve dhe emocionet që do përjetohen në këto gara.
"Do jetë një duel i jashtëzakonshëm. Janë vetëm 11 pikë larg njëri-tjerit dhe çdo gjë është e mundur në 3 gara. Unë e di që jam jashtë luftës për titull por drithërohem dhe emocionohem nga të tilla momente në këtë sport. Këto gara do jenë të mbushura me dramacitet dhe emocion pa fund. Ai që do gabojë më pak do jetë edhe kampioni në fund. E di që këto gara do jenë spektakël më vete, i cili nuk duhet humbur."
Kështu është shprehur 9 herë kampioni i Botës në Moto GP i cili pavarësisht se nuk është pjesë e garës për titull duket se ende emocionohet nga situata të tilla edhe pas shumë vitesh pjesëmarrje në këtë sport.