
Disa ditë më parë u bë i njohur kalendari dhe ndarja e grupeve A dhe B të Katëgorisë së Parë për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç pritej Dinamo do të vijojë të jetë në grupin A, ose siç njihet ndryshe grupi i veriut, ku këtë vit do të bëjë pjesë edhe Vllaznia. Në këtë mënyrë do të kemi "luksin" të shohim në kategorinë inferiore një duel me histori të madhe të futbollit shqiptar mes shkodranëve dhe dinamovitëve, që për fat të keq tashmë gjenden në pozita shumë larg historisë së këtyre dy emrave.
Por ajo që bie në sy është pikërisht vendosja e Dinamos në grupin A që sipas logjikës së FSHF-së duhet të futen ekipet që gjeografikisht luajnë në veri të Shqipërisë, ndërkohë që në grupin B (të jugut) është vendosur për të dytin vit rradhazi Shënkolli i Lezhës. Nëse do të ruhej standarti gjeografik i ndarjes së grupeve, minimalisht Shënkolli duhet të luajë në grupin A, ndërkohë që Dinamo, Besa dhe Egnatia duhet të shortohen për një vend në grupin e jugut. Logjika është e thjeshtë, Lezha është më në veri se Tirana apo Kavaja.
Në këtë mënyrë minimalisht Dinamos do t'i jepej një mundësi për ngjitje në Superligë, ose thënë më mirë futbollit shqiptar do t'i krijoheshin rrethanat që ndoshta vitin e ardhshëm dy ekipe që kanë bërë historinë e futbollit në vendin tonë, të ngjiteshin njëkohësisht sërish në elitë. Por fatkeqësisht sezonin e ri, përsëri do të duhet të zgjedhim mes Vllaznisë dhe Dinamos, se kë do të rishohim në vendin që i takon.
[gallery columns="1" size="full" ids="266819"]