
Iker Casillas ka lënë pas problemet me zemrën, teksa është përfshirë sërish në botën e futbollit. Nuk bëhet fjalë për një skuadër të re ku do ta shikojmë në fushë 38 vjeçarin, por për një rol drejtues. Casillas ka nënshkruar një marrëveshje me klubin me qendër në Madrid, CF Pozuelo.
Skuadra e themeluar në vitin 1943 militon në grupin 7 të Divizionit Tercera dhe Casillas ka detyrën e vështirë për të ndihmuar skuadrën në 3 pika kyçe, si ajo e këshillimit menaxherial, akademive dhe një plan marketingu.
" Iker Casillas dhe "380amk" kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me CF Pozuelo . Lojtari spanjoll, së bashku me një nga agjencitë kryesore në marketingun e sportit dhe veshjeve sportive, do të kontribuojnë për përvojën e tij profesionale për rritjen dhe zhvillimin e klubit. Me 38 skuadra dhe mbi 900 lojtarë, CF Pozuelo ka një nga akademitë më të forta në qytetin e Madridit, e cila është forcuar më tej nga kjo marrëveshje".-thuhet në njoftimin e klubit.
Pak muaj më parë, Casillas "trembi" jo pak opinionin sportiv, ku ndërpreu seancën stërvitore me klubin e Portos pasi pësoi një atak kardiak.