
Elton Cale është goditja më e fundit që Kukësi ka bërë në merkaton e janarit. Prej kohësh trajneri Ernest Gjoka ka kërkuar një futbollist që luan në pozicionin e Cales, si mesfushor krahu për t'i dhënë dorë sulmit.
Në një pronocim për "Supersport", Cale ka thënë se kalimi te verilindorët është një mundësi e mirë për të dhe karrierën e tij.
“Këto janë seancat e para stërvitore me Kukësin dhe shoh që trajneri dhe futbollistët po më ndihmojnë që të përshtatem sa më shpejt. Shpresoj të jap kontributin tim për pjesën e mbetur të sezonit. Nuk jam menduar aspak kur më erdhi oferta e Kukësit, firmose menjëherë duke menduar se ky është një shans i madh për mua. Nuk kam shumë informacione për futbollin shqiptar, sigurisht që më ka thënë diçka Albi Alla, me të cilin kam luajtur në të njëjtin ekip në Greqi.”
Brazilinit i është premtuar një vend në formacion, ecuria varet nga vetë ai me lojën që do të zhvillojë në pjesën e mbetur të kampionatit.
“Trajneri e di nëse do të luaj në formacion titullar. Unë do të jem gati ta jap në çdo moment kontributin tim. Rivaliteti në sulm? Kur ka rivalitet është më mirë për të gjithë, sepse të nxit të punosh fort dhe të japësh më të mirën në stërvitje.”
Ai zbulon dhe pozicionet ku mund të japë maksimumin në fushë.
“Pozicioni im i preferuar është krahu i majtë, besoj se në këtë rol jap më shumë, sepse kur kaloj nga ky krah drejt qendrës më jepet mundësia të godas portën ose të pasoj për shokët. Ndihem mirë në krahun e djathtë, por mund të luaj edhe si numër 10. Unë premtoj se do të punoj shumë dhe për aq kohë sa do të jem te Kukësi do të jap 100% të mundësive të mia.”