
Si në Shqipëri edhe në Serbi, dueli i së shtunës është shumë i rëndësishëm dhe që do të jetë vendimtar për fatet e skuadrave në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në prag të përballjes me kuqezinjtë, në konferencën për shtyp ka folur Dragan Stojkovic.
Trajneri i Serbisë ka vlerësuar Kombëtaren shqiptare, duke theksuar se kanë një ekip me cilësi të lartë, ndërsa janë një nga rivalët e tyre më të mëdhenj në grup. Gjithashtu ka kërkuar nga tifozët mbështetje, por jo situata të pakëndshme që ndëshkojnë ekipin.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne, veçanërisht ajo me Shqipërinë. Nuk po mendoj fare për Andorrën, vetëm për Shqipërinë. Nuk ka kuptim të kthehemi në të kaluarën, duhet të mendojmë për të ardhmen.
Kjo ndeshje kundër Shqipërisë është një luftë e drejtpërdrejtë për fazën eliminatore. Mendoj se kemi forcë dhe cilësi të mjaftueshme për të shkuar më tej. Do të doja t’u bëja thirrje tifozëve që të sillen korrekt në tribuna. Kjo është me shumë rëndësi, nuk dua që të ndëshkohemi. Kombëtarja kërkon vetëm një gjë, dhe kjo është mbështetje. Ne duam të jemi të përqendruar vetëm në fushë.
Shqipëria është një ekip i shkëlqyer dhe me cilësi shumë të lartë. Ata janë rivalët tanë më të mëdhenj në grup. Nuk mund të luash me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë çdo ditë. Kjo është ndeshja dhe kundërshtari më i rëndësishëm për mua në këtë moment. Ne kërkojmë fitoren dhe nuk dua të mendoj për humbjen. Nuk e di se si do të luajnë ata, por e di se si duhet të luajmë ne. Pres një ndeshje me intensitet të lartë”, ka deklaruar timonieri i serbëve.