
Xherdan Shaqiri pak ditë më parë u pensionua nga kombëtarja e Zvicrës. Lojtari me origjinë shqiptare vendosi t’i japë fund aventurës së tij me “Helvetët” pas Euro 2024.
Tashmë për 32-vjeçarin mund të nisë një tjetër aventurë. Ditët e fundit po flitet shumë për një rikthim të Shaqirit në Europë, teksa pritet që me shumë gjasa të largohet nga Chicago Fire.
Te ekipi amerikan, 32-vjeçari luan prej dy sezonesh dhe tashmë mund të ketë një rikthim. Baseli është ekipi që flitet për transferimin e tij. Në lidhje me këtë ka folur drejtori sportiv i skuadrës zviceriane, Daniel Stucki.
Për “Blick” ka theksuar se për të kompletuar këtë operacion duhet të jetë dëshirë e dyanshme. Nëse Shaqiri vendos të rikthehet te Baseli, aty do të gjejë një tjetër lojtar shqiptar. Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Kombëtares, Taulant Xhakën. Gjithashtu edhe dy shqiptarë të tjerë, Albian Ajetin dhe Benjamin Kolollin.
“Sigurisht, me të kaluarën e tij, Shaq është një lojtar shumë interesant për FCB. Por duhet të jetë e drejtë për të gjitha palët. Mendoj se nëse të dyja palët duan me të vërtetë kalimin në FCB, atëherë ne do të gjenim një mënyrë për ta bërë të mundur këtë transferim”, deklaroi Stucki.