
Rubin Kazan barazoi 1-1 në transfertën përballë Rostov. Kjo sfidë ishte e vlefshme për javën e katërt të Premier Leagues ruse dhe Rubin Kazan mori 1 pikë mjaft të vlefshme.
Ishte pikërisht sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku ai që shënoi golin te Rubini. Bomberi kuqezi ktheu në gol një 11-metërsh në minutën e 62-të të sfidës. Teksa ndeshja shkoi mirë për Dakun, nuk mund të themi të njëjtën gjë për sulmuesin tjetër shqiptar, Dardan Shabanhaxhaj.
Ky i fundit nuk ishte titullar në këtë sfidë, teksa u fut në lojë në minutën e 68-të. Por vetëm pas 20 minutash, pra në minutën e 88-të, trajner i Rubin Kazan e zëvendësoi përsëri shqiptarin, duke e nxjerrë nga loja. Për këtë veprim, trajneri Rashid Rakhimov ka folur pas ndeshjes.
“E pamë që po bëheshin shumë pasime të gjata nga Rostovi. Shabanhaxhaj u përshtat shumë mirë me aksionet sulmuese duke përdorur shpejtësinë e tij dhe hapësirat, por nuk u përfshi në fazën difensive.
E kuptuam se duhet të përforconim pozicionin për pasimet e gjata. Ivanovi lufton shumë mirë për këta topa. Zëvendësimi nuk ndodhi sepse Dardani luajti keq. Na duhej një lojtar në mes, i cili mund të luftonte me kokë”, tha Rakhimov.