Nga Italia raportohet një lajm tepër i mirë për Ardian Ismajlin. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare duket se ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit në kampionat.
Torino e tij do të përballet këtë të dielë në derbi me Juventusin, ndërsa shqiptari ka marrë “ok” nga mjekët. Kujtojmë se 29-vjeçari nuk luante prej 26 prillit, për shkak të një problemi në bicepsin femoral të kofshës së djathtë.
Ai pritet të kthehet në derbi, por nuk dihet nëse do të jetë titullar. Me shumë mundësi, Ismajli do ta nisë sfidën nga stoli, por mund të marrë minuta në pjesën e dytë të duelit.
Kështu, Torino dhe Juventus do të përballen mbrëmjen e 24 majit duke nisur prej orës 21:00. Vlen të përmendet se “Zonja e Vjetër” do 3 pikët për të shpresuar në zonën Champions.
