
Juventusi këtë sezon është në garë për një vend në Champions League për sezonin e ri, ndërsa vazhdon ende rrugëtimin edhe në Kupën e Italisë. Te “Zonja e Vjetër”e thonë me zë të artë se këto janë objektivat e kubit dhe se deri tani janë në rrugën e duhur.
Për të folur për ecurinë e bardhezinjve është rikthyer Alessandro Del Piero. Ish-legjenda ka theksuar se llogaritë bëhen në fund. Por nëse ekipi fiton Kupën e Italisë në fund gjithçka do ta bënte më pak të vështirë këtë sezon.
“Juventusi ka pasur shumë probleme në vitet e fundit dhe këtu nuk po flas vetëm për fushën e lojës. Vitin e shkuar e lavdërova shumë punën e Allegrit dhe lojtarëve pasi ia dolën shumë mirë mes shumë problematikave që nuk lidheshin vetëm më fushën.
Sa i takon sezonit aktual, unë them gjithnjë se llogaritë bëhen në fund. Pati zhgënjim pas disfatës me Inter dhe në momentin që zikaltërit u shkëputën në kampionat. Por, pas një periudhe të mbushur me shumë probleme, mendoj se skuadra më në fund është rikthyer të vlerësojë objektivat e fillimit të sezonit, pra kualifikimi në Champions dhe promovimi i të rinjve.
Nëse skuadra më pas fiton Kupën e Italisë, mendoj se panorama e sezonit ndryshon dhe ndoshta do të kishte më pak zhgënjim.
Të rinjtë dhe e ardhmja e Juventus- Nga të rinjtë ai që më pëlqen më shumë është Kenan Yildiz. Ka treguar shumë gjëra të veçanta në fushë, ndërsa nuk mund të mos përmend edhe Miretti apo Fagioli. Të rinjtë e Juventus mendoj se do t’i shërbejnë edhe kombëtares. Ka edhe të tjerë që kanë shumë vlera, por t’i lejojmë të rriten të qetë dhe pa shumë presion”, u shpreh Del Piero.