Fati i Igli Tares te Milani mund të marrë një kthesë të papritur, pavarësisht se më herët u përfol mbi vendimin e mëparshëm të klubit për të shkëputur marrëdhëniet me drejtorin shqiptar.
Siç shkruan “Tuttosport”, situata e kuqezinjtë po merr një rrjedhë krejt tjetër, pasi presidenti Gerry Cardinale ka nisur nga puna për ndryshime rrënjësore në stafin e drejtuesve, duke përfshirë këtu dhe Giorgo Furlanin që mban dhe postin e shefit ekzekutiv.
Nuk dihet ende nëse largimi i këtij të fundit do të vijë përmes dorëheqjes apo do të jetë vetë Cardinale që do t’i komunikojë vendimin e formës së prerë, por ky zhvillim mund të gëzojë e të “çlirojë” njëkohësisht pikërisht Taren që deri para pak ditësh ishte i destinuar të ikte nga “Djalli” pas vetëm një sezon qëndrimi.
Shqiptari ka marrë mbështetjen e trajnerit Max Allegri, madje edhe të portierit Mike Maignan të cilët janë shprehur “pro” qëndrimit të tij, përtej këtij sezoni. Atmosfera që ai ka krijuar në kampin kuqezi, duke ndihmuar trajnerin me investime kyçe, mund të jenë një shkak që numri “një” të bëjë një “prapa-kthehu” për vendimet që do të marrë në fundin e këtij sezoni.
