Kur jemi në kohën më të bukur të vitit, në një muaj festiv si dhjetori, impenjimet në futboll sa vijnë e bëhen dhe më të “rrepta”. Kjo pasi trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka një vëmendje akoma më të shtuar tek futbollistët e tij.
Sigurisht që skuadra ka bërë mjaft mirë, ku numëron 7 fitore radhazi por kjo nuk duhet të mjaftojë. Sipas Guardiolës “djemtë” e tij mund t'a shijojnë pak Krishtlindjen, por nuk duhet ta teprojnë. Duke vendosur theksin kështu se sa shumë rëndësi ka dieta e futbollistëve të tij, sa i takon formës dhe paraqitjes në fushë, në sfidat e ardhshme.
“Çdo lojtar ishte në peshore pas suksesit të fundit kundër West Ham United, dhe më 25 dhjetor do të jem atje për të kontrolluar se sa kilogramë janë shtuar. Ata mund të hanë, por unë dua që ta kontrollojnë”, u shpreh spanjolli.
Ndër të tjera trajneri ka bërë dhe një paralajmërim duke thënë se kushdo që ha shumë gjatë periudhës festive nuk do të lejohet të marrë pjesë në ndeshjen jashtë fushe kundër Nottingham Forest, e cila do të luhet të shtunën.
“Imagjinoni një lojtar që tani është në formë të përsosur dhe kthehet me tre kilogramë më shumë. Ai do të qëndrojë në Manchester, nuk do të udhëtojë për në Nottingham Forest. Kjo është e sigurt”, ka përfunduar trajneri i skuadrës.
