Mesfushori serb Nemanja Matic është prononcuar për “FourFourTëo”, teksa ka prekur edhe një temë të ndjeshme për dy lojtarët shqiptar të Zvicrës, konkretisht për Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.
Në Botërorin e 2018-ës, si Shaqiri dhe Xhaka mposhtën të vetëm Serbinë, ndërsa në atë takim ishte në fushë edhe vetë Matic. “Veterani” ka “ndezur” debat për dyshen e mësipërme:
“Unë i respektoj ata si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Premier League. Por me ato gjëra të vogla, ata fitojnë pikë politike. Mendoj se ata janë rritur në Zvicër.
Kjo nuk tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse të pëlqen kaq shumë Shqipëria, atëherë pse nuk luan për Shqipërinë por ke zgjedhur të luash për Zvicrën? Kjo është pyetja ime.
Mund të duash më shumë vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Gjithashtu e dua Anglinë, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të thoja se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë.
Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe kurrë nuk kemi pasur problem. Gjithmonë shtrëngonim duart, ai është një lojtar i mirë, si Shaqiri. Por kurrë nuk do të bëja diçka për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”.
