Real Madrid ka barazuar përballë Atletico Madrid në sfidën e vlefshme për javën e 8-të të La Liga-s. Derbi që u zhvillua në stadiumin “Metropolitano” të Atleticos, përfundoi 1-1.
Pas kësaj sfide ka folur trajneri i “Los Colchoneros”, Diego Simeone. Tekniku argjentinas u ndal të fliste më shumë për momentin e ndërprerjes së ndeshjes, kur portieri i Realit, Thibaut Courtois provokoi tifozët e Atleticos.
“Kjo i ka ndodhur edhe kur luante me ne në "Bernabeu". E gjuajtën dhe e çanë në kokë. Ka ndodhur dhe do të ndodhë. Por nuk duhet të ndodhë. Duhet të kemi kujdes. Duhet të japim ndihmën tonë të gjithë. Nëse provokojmë njerëzit, njerëzit acarohen. Dikush mund të festojë golin, por jo duke parë nga tribuna dhe duke bërë gjeste”, tha Simeone.