
Real Madrid ka barazuaar përballë Atletico Madrid në sfidën e vlefshme për javën e 8-të të La Liga-s. Derbi që u zhvillua në stadiumin “Metropolitano” të Atleticos, përfundoi 1-1.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0 dhe vetëm me një karton të verdhë për Luka Modric. Me nisjen e pjesës së dytë, Reali u tregua më kërkues. Pikërisht kjo bëri që “Los Blancos” të shënonin në minutën e 64-të me Militao.
Pas këtij goli, ndeshja u ndërpre për disa minuta, pas një provokimi të Thibaut Courtois ndaj tifozëve të Atletico Madrid.
Me rikthimin e skuadrave në fushë ndryshuan dhe “Los Colchoneros”. Atletico u mundua të krijonte disa raste, teksa golin e barazimit e gjeti në minutën e 95-të me anë të Angel Correa. Ky gol u anullua fillimisht, por VAR-i bëri që vendasit të shpërthenin në festë.
Gjithashtu, në këtë ndeshje kishte dhe të përjashtuar. Marcos Llorente u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 99-të për një ndërhyrje të ashpër, por kjo nuk ndikoi në ndryshimin e rezultatit.
Me këtë barazim, Reali mbetet në vendin e dytë me 18 pikë, 3 më pak se Barcelona kryesuese. Në krahun tjetër, Atletico me 16 pikë është e renditur në vendin e 3-të në tabelën e renditjes.