
Eden Hazard u largua nga futbolli në vitin 2023 pas katër vitesh në Real Madrid, ku ai nuk ishte në gjendje të demonstronte potencialin e tij të plotë ndryshe nga skuadrat e tij të mëparshme, Lille (2007-2012) dhe veçanërisht Chelsea (2012-2019).
Belgu, tani 34 vjeç, mbërriti në “Santiago Bernabeu” si yll, por lëndimet e penguan atë të performonte sa më mirë, pavarësisht se ishte pjesë e skuadrës që fitoi Champions-in në vitin 2022.
Tani në “pension”, ai kultivon pasionet e tij të shumta. Një prej tyre është çiklizmi dhe dje ai mori pjesë në një garë në Mallorca, “Mallorca 312”, në të cilën ishin më shumë se 8000 çiklistë, mes të cilëve Alejandro Valverde, Alberto Contador dhe Miguel Indurain. Hazard përfundoi garën e 167 km dhe dukshëm i lodhur, tha në vijën e finishit:
"Uau, ishte vërtet e vështirë. Këmbët e mia janë mirë, kilometrat e para ishin të mira, por 25 të fundit ishin pothuajse të pamundura. Më duhet të stërvitem pak më shumë dhe të humbas peshë. Kjo do të ishte perfekte”.
Më pas, “As” raporton, me një medalje rreth qafës që dëshmon pjesëmarrjen e tij në garë, ai shijoi një birrë dhe përgëzoi veten për punën e shkëlqyer të bërë së bashku me shokët e tij të rinj.