
Enis Bardhi po zhvillon një sezon pozitiv me skuadrën e Tranbzonspor në Turqi. Mesfushori i Maqedonisë së Veriut në 35 ndeshje të këtij sezoni ka shënuar 5 gola dhe ka asistuar në 5 të tjerë.
Së fundmi është vetë Bardhi që ka folur për revistën e klubit turk ku aktivizohet. 28-vjeçari shpreh një admirim të madh për Trabzonsporin, duke theksuar se kanë plane për suksese të mëdha.
“Është me të vërtetë klub i madh. Viti i kaluar ishte i vështirë, por jemi me më shumë shpresë në këtë vit. Kemi plane dhe synojmë të jemi të suksesshëm në fund të edicionit”, ka thënë fillimisht Bardhi.
Më pas, mesfushori i Maqedonisë është ndalur te koha kur luante në La Liga. Madje Bardhi krahason veten e tij me Leo Messin, duke thënë se ka qenë më i mirë se argjentinasi përsa i përket statistikave në goditjet e dënimit.
“Ka pasur raste që kam qenë më i mirë se Messi, sepse unë shënova 7 gola nga 25 goditje dënimi, ndërsa Messi shënoi 8 gola nga 52 të tilla. Nëse shohim përqindjen, isha më i miri në këtë aspekt. E vërteta është se ndihem shumë mirë kur bëjnë krahasime të tilla. Sigurisht, kur je vetëm 22 vjeç dhe shënon 7 gola nga goditjet e dënimit në një sezon, është gjithashtu një gjë e mirë”, është shprehur mesfushori 28-vjeçar.