Andi Zeqiri nuk po kalon momentin që priste tek skuadra polake Widzew Lodz. Këtë sezon ai ka marrë pjesë në 26 ndeshje, shumicën prej tyre si zëvendësues. E në këto kushte, 26-vjeçari me origjinë shqiptare po mendon largimin gjatë merkatos së verës.
Por, ofertat për të nuk mungojnë. Siç raporton “Tribune De Geneve”, për shërbimet e Zeqirit ka interesim të lartë skuadra e Superligës zvicerane, Servette. Këta të fundit, e shohin 26-vjeçarin si përforcimin e duhur për repartin ofensiv, duke ia besuar atij golat.
Mirëpo nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Zeqiri ka kontratë të vlefshme me ekipin aktual, Widzew Lodz, deri në verën e vitit 2029. Ai u ble verën e shkuar për 2 milionë euro nga belgët e Genk, ndërsa vlera momentale është 2.5 milionë euro.
Këtë sezon, shqiptari ia ka dalë që të shënojë 3 gola e të asistojë në një tjetër, por pa fituar kurrë besimin e trajnerit për rol kyç në ekip. Vlen të theksohet, se shok ekipi me Zeqirin tek Widzew Lodz, janë edhe dy mesfushorët e Kombëtares shqiptare, Lindon Selahi dhe Juljan Shehu.
