Real Madrid po e konsideron seriozisht pistën Didier Deschamps për ta afruar në stol sezonin e ardhshëm. Trajneri, i cili do të udhëheqë për herë të fundit Francën në Kupën e Botës këtë verë, përpara se të mbyllë ciklin e tij me "Gjelat" për t'i lënë vendin Zinedine Zidane, ka përfunduar nën "radarët" e klubit mbretëror.
Sipas informacioneve që vijnë nga RMC Sport, thuhet se emri i francezit është përfshirë në listën e shkurtuar të presidentit Florentino Perez, i cili kërkon të sjellë një revolucion rrënjësor që prek dhe stolin, pasi e ardhmja e Alvaro Arbeloas është tashmë e shkruar dhe rrugët mes tyre me gjasë do të ndahen.
Në Madrid, ekzistojnë tri arsye përse profili i Deschamps është i vlerësuar në rangun e trajnerëve që janë spikatur mes drejtuesve. Së pari, francezi është një lider natyral dhe e ka provuar veten dhe në skuadra të niveli të lartë si Monaco, Juventus, Marseille dhe së fundmi tek Kombëtarja franceze.
Po ashtu, një tjetër avantazh është dhe qasja e lojës që ndërton 57-vjeçari i cili "di se si të fitojë". E treta, por jo më pak e rëndësishme është dhe raporti kyç që ka me lojtarët francezë si Kylian Mbappe dhe Aurelian Tchouameni.
Gjithçka do të ezaurohet në fund të sezonit, kur Reali të bëjë reflektimet nëse sezoni përfundon pa trofe, ndaj dhe trajneri momental i Francës ndodhet në pozicione shumë të mira dhe një telefonate të Perez nuk do të hezitonte t'i përgjigjej për të pranuar stolin e "Los Blancos".
