
Neymar u transferua te Santos në Brazil në janar të këtij viti, duke bërë kështu rikthimin e madh në karrierën e tij futbollistike. Braziliani kohët e fundit po përflitet shumë për një largim nga Santos, teksa Fenerbahce e Jose Mourinhos thuhet se kërkon shërbimet e tij.
Në lidhje me të ardhmen e tij ka folur vetë sulmuesi. Braziliani ka “thyer heshtjen” dhe ka theksuar se Santos është shtëpia e tij dhe se nuk e mendon largimin. Ndër të tjera nënvizon se është shumë i lumtur që është pjesë e Santos, ndërsa ndjen keqardhje që nuk ka mundur të luajë shumë, pasi për shkak dëmtimi ka qëndruar jashë fushave për disa kohë.
“Cilat janë shanset për të qëndruar? Nga 0- 10, 7. Historia ime me Santosin nuk do të mbarojë kurrë, unë kam lindur në Santos dhe dua të vdes atje. Është shtëpia ime, është ekipi im i preferuar dhe po bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar Santosin. Deri më tani kam qëndruar më shumë jashtë fushe sesa brenda, por ky nuk ishte qëllimi. Erdha për të rikuperuar veten dhe për të gjetur lumturinë, dhe jam në këtë proces, duke ripërshtatur trupin tim për t'u rikthyer në formën time më të mirë. Dua të kthehem në formën time më të mirë. Sot jam shumë i lumtur në Santos, Santos është shtëpia ime", ka deklaruar 33-vjeçari.