
Egnatia do të nisë ditën e mërkurë aventurën e saj europiane. Për herë të parë rrogozhinasit do të luajnë në Champions League, ku në turin e parë të këtij kompeticioni do të sfidojnë Borac Banja Luka. Sfidë kjo që do të luhet ditën e mërkurë në orën 21:00.
Këtë rrugëtim ekipi i Edlir Tetovës do ta nisë në transfertë dhe për këtë ditën e nesërme në orën 12:30 është parashikuar që skuadra të udhëtojë drejt Bosnjes. Është pogramuar që ekipi të udhëtojë me charter.
Në këtë transfertë rrogozhinasit nuk do të mund të kenë mbështetjen e tifozëve në stadium. Kjo pasi për shkak të sigurisë klubi boshnjak ka bërë kërkesë UEFA-s që kjo sfidë të mos ketë tifozë të organizuar nga Shqipëria dhe diçka e tillë është pranuar nga UEFA.
Ndërkohë kujtojmë se kthimi në Shqipëri do të bëhet menjëherë pas ndeshjes, ndërsa më 11 korrik ekipi do të bëjë një ditë pushim. Në këto kushte ditën e premte është programuar të nisin përgatitjet për sfidën e kthimit që do të luhet me 17 korrik.