Shorti i Champions League i mbajtur në Nion të Zvicrës ka prodhuar “finale” të parakohshme, ndonëse jemi ende në fazën e 1/8-ave. Real Madrid do të përballet me Manchester City në ndeshje dopio dhe fituesi i këtij çifti luan me çerekfinale me fituesin e Atalanta – Bayern Munich.
Bergamaskët, ku bën pjesë edhe mbrojtësi i Shqipërisë Berat Gjimshiti, kanë rezultuar të pafat, përballja më e vështirë e mundshme. Duel i ekuilibruar parashikohet PSG – Chelsea.
Barcelona sfidohet sërish me Newcastle, por kësaj radhe në një fazë me të rëndësishme për fatet e sezonit. Arsenali në “letër” s’pritet të ketë probleme me Leverkusen.
Atletico Madrid gjen përballë Tottenham, kurse Liverpool u shortua ndaj Galatasaray. Ndeshja më e “vakët” mendohet të jetë Bodo/Glimt – Sporting Lisbonë.
Mundësitë që Real Madrid dhe Barcelona të përballen në finalen e Budapestit janë realiste, vetëm nëse ia dalin të “mbijetojnë” deri në fund.
