
Bayern Munich do të luajë mbrëmjen e së martës ndeshjen e parë çerekfinale përballë Arsenalit në transfertë. Sfida që do të zhvillohet në “Emirates Stadium”, do të startojë në orën 21:00. Në prag të kësaj sfide ka folur edhe sulmuesi bavarez, Serge Gnabry, që dikur ka qenë pjesë e “Topçinjve”.
Gnabry thotë se objektivi më i madh i tyre është të kapin gjysmëfinalen, por kjo nuk e bën aspak të lehtë ndeshjen përballë Arsenalit. Gjermani thekson se kanë përballë një ekip me shumë talente në organikë dhe se shanset për kualifikim janë 50 me 50.
“Arritja në gjysmëfinalen e Champions League do të na jeptë një shtysë më shumë Është një sfidë për ne, objektivi i madh i yni. Sfidat ‘brenda-jashtë’ janë ato që na shtyjnë më shumë për tëbërë më mirë. Arsenali është rikthyer në krye, ata janë një ekip plot talent dhe fuqi. Shanset për t’u kualifikuar ndoshta janë 50 me 50.
Arsenali ka bërë shumë mirë që nga Krishtlindjet. Nuk mund të thuash gjë të keqe për një ekip që është pretendent për të fituar titullin kampion në Premier League. Ata janë të fortë, finalizojnë dhe gjithmonë duan të kenë posedimin e topit. Ata janë të frikshëm në stadiumin e tyre me tifozët që i mbështesin. Do të jetë një detyrë e vështirë për ne”, është shprehur Serge Gnabry.