
Bayern Munich mori një humbje surprizuese në raundin e dytë të Champions League. Aston Villa i mposhti bavarezët 1-0 në një sfidë mjaft të luftuar. Në përfundim të kësaj ndeshje ka folur trajneri i gjermanëve, Vincent Kompany. Ky i fundit vlerëson forcën e kundërshtarit, teksa thekson se duhet të mësojnë nga kjo disfatë.
“Në humbëm shumë raste dhe ata shënuan sapo iu dha mundësia. Ne duhet të marrim mësim nga kjo humbje. Kur ne kemi topin jemi tepër të rrezikshëm, por ata u treguan më të fortë dhe stoikë. Megjithatë, nuk ishte një paraqitje e keqe nga ne.
Por ky është futbolli, nëse nuk shënon do ta pësosh. E kuptoj që për kundërshtarin ishte një natë e veçantë. Tashmë ne duhet të fokusohemi në punën tonë, të bëjmë më të mirën në ndeshjet e ardhshme për t’i fituar ato”, tha Kompany.
Kujtojmë që Bayerni do të zbresë në fushë këtë të diel për t’u përballur me Eintracht Frankfurt në transfertë.