Bayern Munich ndërpreu rrugëtimin në Champions League, pasi nuk ia doli të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë gjysmëfinale, duke barazuar në “Allianz Arena” 1-1 përballë Paris Saint-Germain.
Një finale që mbetet peng për gjermanët, të cilët ishin shumë pranë këtij objektivi, por goli i Dembeles që në minutën e 3-të, i preu “hovin” vendasve të cilët megjithatë tentuan të provonin shanset e tyre për ta çuar këtë sfidë, qoftë në shtesë.
Pas përfundimit të sfidës, portieri Manuel Neuer foli për mikrofonat e medias e DAZN, ku u shpreh se “efikasiteti” bëri diferencën në fushën e lojës, faktor ky që mungoi në radhët e bavarezëve, edhe pse nuk u krijuan shumë raste për shënim.
“Rastet e pastra nuk ishin të shumta, por nuk u treguam shumë efikas në metrat e fundit. Kjo është ajo që na duhej ditën e sotme. Shihni Parisin, ishin të pamëshirshëm dhe shënuan si në ndeshjen e parë. I shkuam afër finales, por nuk e mbyllëm dot punën me sukses”, deklaroi Neuer.
