
Bayern Munich po përpiqet që të gjejë një trajner për sezonin e ardhshëm, por deri më tani ka marrë 3 refuzime. Xabi Alonso, Nagelsmann dhe Ralf Rangnick ishin trajnerët që nuk pranuan të ulen në pankinën bavareze.
Një problem është se ky sezon po mbyllet dhe për të nisur të riun me seriozitet, duhet që trajneri të gjendet sa më parë të jetë e mundur.
Duke parë këtë situatë, në zyrat e Bayern Munich po ‘dëgjohet’ gjithmonë e më shpesh që Thomas Tuchel mund të konfirmohet dhe të qëndrojë në krye të ekipin edhe për sezonin e ardhshëm.
Ndeshja e së shtunës përballë Hoffenheim duhet të ishte e fundit për teknikun gjerman, por disa lojtarë kanë kërkuar që Tuchel të mos largohet. Kapiteni, Manuel Neuer, Thomas Muller, Jamal Musiala, Leroy Sane, apo dhe dyshja angleze Kane e Dier, duan që Tuchel të mos largohet.
Në krahun tjetër, drejtori sportiv i bavarezëve, Max Eberl dhe Chirsoph Frend po punojnë për këtë çështje. Gjithçka pritet të vendoset në ditët në vijim, por problem mbetet marrëdhënia që Thomas Tuchel ka me disa drejtues, sidomos me Uli Hoeness.