
Shtëpia e futbollistit të njohur botëror, Lionel Messit është vënë në qendër të aktivistëvë të klimës, të cilët bëjnë përgjegjës të pasurit për ndryshimet klimatike që po ndodhin së fundmi në botë.
Sipas prestigjozes Bild, këtë radhë në shënjestër të aktivistëve është vënë vila e Messit në Ibiza që ndodhet në komunën e Sant Josep de sa Talai, ku futbollisti jeton bashkë me familjen e tij.
Aktivistët e klimës përdorën aparate zjarri të konvertuar për të spërkatur bojën në pronën luksoze të futbollistit, ndërsa ato fotografuan veten para shtëpisë së tij, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: "Ndihmoni planetin, luftoni të pasurit dhe shfuqizoni policinë".
Fushata e ashpër vjen nga grupi “Futuro Vegetal”, i cili tashmë vjen me një zhvillim të ri midis radikalëve të klimës, ku vandalizmi nuk është më i drejtuar kundër shoqërisë dhe infrastrukturës së saj, por përkundrazi janë individët ato që po sulmohen për pasurinë e tyre.
Për aktivistët spanjollë të klimës, Messi është në anën e gabuar të shoqërisë. Shpjegimi i tyre për vandalizmin është për të treguar përgjegjësinë e të pasurve për krizën klimatike dhe sipas tyre, vila në të cilën futbollisti jeton është gjithashtu një ndërtesë e paligjshme.
Duke u nisur nga raportimi i aktivistëve në llogarinë zyrtare në rrjetin social Instagram, reagimi i ashpër i tyre ndaj objekteve të të pasurve vjen pasi Policia Kombëtare Spanjolle dhe Guardia Civile shpërnguli qindra qytetarë nga vendbanimet e tyre të paligjshme në Can Rova të Ibizas disa ditë më parë, ku rreth 150 familje humbën shtëpitë, duke ngelur jashtë në rrugë.
Aktivistët vijojnë më tej duke thënë se ligjet ekzistojnë për të mbrojtur vetëm të pasurit dhe kjo nuk është e drejtë, pasi edhe vila e vandalizuar e Messit për të cilën po flasim ka disa ndërtime të brendshme, për të cilat nuk ka leje nga autoritetet përkatëse.
“Shpresojmë që Messi të kuptojë se kjo është pjesë e së drejtës sonë për të protestuar dhe se është më e pakta që duhet të durojë”,- shprehen aktivistët.
Puna e pastrimit në shtëpinë e Messit, veçanërisht në fasadën prej guri natyror, pritet të kushtojë dhjetëra mijëra euro.