Vetëm 18 vjeç dhe ia ka dalë të shndërrohet në figurën qendrore të Barcelonës, ashtu siç ka bërë dikur Leo Messi kur vishte këtë fanellë dhe regjistronte rekorde historike për vite me radhë.
Lamine Yamal nuk është thjesht një “zbulim” i radhës tek klubi katalanas, por një “xhevahir” që të rikujton me lëvizjet e tij “Pleshtin” i cili bënte “rrafsh” të gjitha mbrojtjet kundërshtare me aftësitë e tij.
Padyshim, kjo nuk ka mbetur pa u vënë re nga Messi, i cili shprehet hapur për zhvillimin që ka marrë sulmuesi spanjoll që prej se debutoi me blaugranat, kur asokohe në stol ishte Xavi Hernandez që i dha besimin e parë.
“Është gjë e mirë që po vjen një gjeneratë e re dhe që ka shumë vite përpara. Megjithatë, nëse do të zgjidhja një prej tyre për moshën që ka, për atë se çfarë ka bërë deri më tani dhe për të ardhmen që mund të ketë, është Yamali. Nuk kam aspak dyshime, ai është më i miri”, është shprehur Messi.
Ylli argjentinas “reflektoi” muaj më parë në një fotografi të shkrepur kur ishte shumë i ri në moshë, teksa po lante në vaskë pikërisht djaloshin e talentuar që sot po dominon botën. Kushedi, ndoshta “prekja e artë” e Messit mund të jetë “dëshmia” pse Yamal mund të krenohet për atë se çfarë ka arritur.
