Ylli legjendar argjentinas, Lionel Messi ndodhet në Indi, në një tur 4 ditor i cili përfshin disa vizita në qytete të ndryshme si Hyderabad dhe Mumbai. Si dhe inaugurimin e statujës së tij 22 metra të lartë, të vendosur në Kalkuta.
Megjithatë e gjithë vizita e “pleshtit” sigurisht që është shoqëruar me masa ekstreme sigurie, aq më tepër pas kaosit dhe rrëmujës së tifozëve gjatë vizitës së tij në Kalkuta.
Aktualisht Messi ndodhet në New Delhi, dhe pritet që të gjitha takimet e organizuar nga stafi i tij do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Takime këto jo aq “modeste” për të cilat siç raporton edhe media e huaj “Ndtv”, secili nga personazhet VIP apo dhe biznesmenë kanë paguar nga 10 milionë rupi, rreth 93 mijë euro.
Në vijim të turit të tij, “pleshti” do të takojë edhe disa zyrtarë të lartë të parlamentit. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në një event në stadium, ku do të takojë përfaqësues të “Minerva Academy”, që ka fituar 3 trofe në futbollin e të rinjve.
