Shqipëria humbi me rezultatin e ngushtë 3-2 kundër Gjermanisë, por që në pjesën e parë pothuajse nuk ishte në fushë, ndërsa në të dytën tregoi identitetin e vërtetë të saj.
Trajneri Arjan Bellai analizon humbjen, ndërsa thotë se lojtarët e morën me frikë pjesën e parë, por pas analizës në dhomat e zhveshjes, pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, ku u arrit që të shënoheshin dhe dy gola.
"Humbëm me rezultatin 3-2 kundër Gjermanisë. Në pjesën e parë djemtë u shpërqendruan, pasi ishin të frikësuar nga kundërshtari. Me futjen në pjesën e dytë lojtarët kishin më tepër qetësi dhe arritën që rastet e krijuara t'i kthenin në gol".
"Në pjesën e parë djemtë vetëm u mbyllën, por unë u pata thënë se ata kanë një moshë me ju dhe asgjë nuk ndryshon. Megjithatë, kjo ndeshje kështu shkoi, por jam i kënaqur nga loja në pjesën e dytë sepse skuadra m'u përgjigj".
"Në pjesën e dytë aktivizova Hajrulla-n, pasi e pash që ekipit i duhej një lojtar i shpejtë. Ai bëri diferencë në lojë dhe ndihmoi skuadrën në mënyrën më të mirë. I dha lojës atë që po kërkonim në pjesën e parë".
"Ndaj Gjibraltarit është ndeshje e vështirë për ne, sepse duhet që të shënojmë sa më shumë. Normalisht duhet që të arrijmë rezultat të thellë që të hyjmë në "Elite Round" si vendi i tretë me golavarazhin më të mirë në grup".