
Nga Gjergji Stefa
Ti Klajd je një nga ata që nuk korruptohesh. Dhe kur gabon e bën se ashtu e mendon. Vazhdo kështu. Gojët e liga thonë që një vit më parë Armando Duka presidenti i Federatës në një mbledhje me gjyqtarët iu dridh qerpiku më shumë se atyre. Nga 23 nga ju, vetëm 3 janë të ndershëm. Ok, Enea Jorgji, thonë të gjithë nuk merr para nën dorë. Po 2 të tjerët ? Klajdi Kola, njëri prej tyre. Kush Klajd? Ai që i dha penalltinë Kukësit në Gjirokastër dhe Skëndërbeut ndaj Korabit.
Në Shqipëri nuk vendosin vetëm buxhetet dhe lojtarët, por shpesh diferencën e bëjnë gjyqtarët. Sigurisht që dhe ata kanë preferenca por ngjyra më shumë se sa e fanelave mesa duket qenka ajo e parasë. Se ndryshe nuk shpjegohet se si nuk gjen asnjë gabim arbitrar në favor të Luftëtrarit dhe Flamurtarit, dy skuadrat që prodhuan ndeshjen më të bukur të javës, dy ekipe që u dhanë leksione falas, milionerëve të kreut, treshes, ku trajnerët e lojtarët llastohen me renditjen por sa shkojnë te zyra e presidentit struken nën tryezë kur ai u thotë : Fituat ju apo gjyqtari? Gjyqtari im do kish vazhduar fjalia.
Kështu që në këto kushte ku Kukësi, Skëndërbeu e Partizani kanë shumë pikë nga vendimet e gjyqtarëve pak më shumë respekt për Luftëtarin dhe Flamurtarin që nga gjyqtarët nuk kanë parë asgjë. Milinkoviç dhe Mezani me të drejtë duhet të ndihen xhelozë. Loja është ku e ku më e mirë kurse, trajtimi ku e ku më ndryshe.
Nëse mrekullitë në këtë vend nuk vijnë dhe të gjithë e dinë pa nisur se kush është treshja e kreut gjyqtarët e kanë meritën e tyre. Ata gabojnë rregullisht në favor të skuadrave me presidentë të fuqishëm. Imagjinoni pak nëse do ish kështu dhe në Angli. Gjyqtarët të akordonin penallti në favor të skuadrës së Abramovic dhe të dëmtonin Leisterin. Gjyqtarëve shqiptarë nuk u pëlqejnë surprizat, por ndonjëherë as drejtësia. E megjithatë Haxhiu duhet të kërkojë falje. Bastard nuk është fjala e duhur. Nesër mund të jetë trajner i një skuadre të madhe, ku bastardi do bëhet mesiguri një pitbull. / Sport Ekspres