
Transferimi i Armando Brojës nga Chelsea te Fulham në formë huazimi në orët e fundit të merkatos, u cilësua si një nga lëvizjet më të bujshme në Angli. Sulmuesi shqiptar shihet si një vlerë e shtuar nga drejtuesit e Fulham, me Brojën që pritet të jetë një titullar fiks në ekipin e ri.
Pikërisht për këtë transferim, ka folur ish-mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand. Legjenda angleze është shprehur në “TNT Sports”, se Broja ka bërë mirë në huazimet ku ka qenë dhe për këtë arsye se edhe Fulham ka bërë biznes të mirë me afrimin e shqiptarit në ekip.
“A është Broja një biznes fantastik për Fulhamin? Ai mund të jetë. Ata nuk e kanë pasur Mitrovicin dhe nuk kanë mundur ta mbushin atë boshllëk. Sa herë që del në huazim, Broja, ka bërë mirë. Në Southampton ai ishte vërtet i mirë atje dhe mendoj se ata do të donin ta merrnin në formë të përhershme. Fulham mendoj se kam bërë një biznes shumë të mirë me të”, është shprehur Rio Ferdinand.