
Humbja e Gjermanisë ndaj Japonisë është përfolur shumë pasi një përmbysje e tillë në një event si Kupa e Botës është diçka shumë e rëndë.
I ftuar në emisionin sportiv “Skaneri i Botërorit”, trajneri Ardi Behari ka komentuar dhe analizuar paraqitjen e Gjermanisë. Trajneri i Kombëtares U-18, ka nënvizuar sjelljen në fushën e lojët të Antonio Rudiger, i cili nuk tregoi aspak respekt ndaj kundërshtarit.
Prononcimi i Ardi Beharit:
“Ndeshja tregoi se nëse ti nuk e vlerëson kundërshtarin, fundi do jetë ky që pamë. Unë them se ndërrimet e Japonisë, e ndryshuan lojën. Qoftë lojtarët që u futën në lojë, apo edhe sistemi. E nisën 4-2-3-1, pastaj e bënë 4-4-2 dhe në pjesën e dytë kaluan në 3-4-3, duke e rritur forcën e sulmit te Japonia.
Nuk mendoj se e humbi Gjermania, por e fitoi Japonia me këto ndryshime që bënë dhe disiplinën taktike. Nuk i falet një lojtari që vesh fanellën e Gjermanisë, që të bëjë karagjozllëqe në fushën e lojës, siç ishte rasti i Rudiger. Mbrojtësi nuk mund t’i bënte ato veprime, që ishte një provë sesi e kishte përgatitur ndeshjen Gjermania.”