
Skuadra e Apolonisë së Fierit do të dalë nesër në stërvitje. Fierakët do të nisin zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri 2016-2017. Megjithatë gjërat në kampinbardhekuq janë akoma të paqarta, pasi nuk është zyrtarizuar akoma trajneri që do të jetë në krye për sezonin e ardhshëm. Te fierakët gjithçka është e pakualiduar, ku përveç trajnerit nuk ka as staf teknik.
Ndoshta në skuadrën fierake mund të kemi surpriza, ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë disa lëvizje në fshehtësi për pankinën bardhekuqe, ose skuadrën ta drejtojë zv. trajneri Elidon Demiraj.
Apolonia është një ndër skuadrat më të njohura të kategorisë së parë, por mesa duket asgjë nuk po ecën si duhet në kampin fierak, ku nuk ka asnjë shenjë pozitive. Për merkato nuk flitet asgjë, dhe për klubin fierak çdo gjë sa vjen e vështirësohet pasi shumica e lojtarëve e kanë gjetur skuadrën e tyre në kampionatin shqiptar, dhe ekipit myzeqar nuk i mbetët gjë tjetër veçse të kthejë sytë nga tregu i huaj, por edhe ky pothuajse një mision i pamundur sepse financat janë me "pikatore".