Shtypi sportiv europian i ka bërë jehonë Kombëtares së Shqipërisë, që ka lënë gjurmë në Francë, sido që të shkojnë punët me kualifikimin. Një artikull special kuqezinjve u ka kushtuar edhe e përditshmja spanjolle “AS”. Kjo gazetë bën një retrospektivë dhe shkruan se viti 2011 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi në stolin e saj është ulur një trajner me përvojë si De Biazi. Në artikull shkruhet: “Në vitin 2011 Shqipëria ishte e 74-ta në klasifikimin e FIFA-s dhe lojtarët e saj ishin modestë. Trajneri De Biazi nuk ka ndikuar vetëm në rritjen e skuadrës, por ka krijuar edhe modelin e duhur të seleksionimit të lojtarëve. Bashkë me stafin e tij, ai ka vëzhguar për shumë vite kampionatet, ku më parë ishin vendosur emigrantë shqiptarë, duke dashur të zbulojë talentete”.
HULUMTIMI - De Biazi ka udhëtuar në mbi 70 vende për të bindur lojtarët shqiptarë t’i bashkohen projektit që ai ka pasur. Artikulli vazhdon: “Ai arriti të kontaktonte me shumë shqiptarë të talentuar, veçanërisht në Zvicër. Eksodi i viteve ‘90 nga Shqipëria dhe Kosova solli zhvendosjen e shumë shqiptarëve në Europë dhe sot me Shqipërinë luajnë 12 djem të rritur në Zvicër. Ai dhe bijtë e luftës, rreth dy dekada pas konfliktit të Kosovës, e çuan Shqipërinë në Euro 2016.”
“As” përmend edhe faktin se qeveria shqiptare e ka shpërblyer ekipin e futbollit me 1 milionë euro, ndërkohë që vlerëson së tepërmi De Biazin, që tashmë arrin të këndojë edhe himnin shqiptar.