
Nga Përparim Kabo
Sot mbush 75 vjeç një njeri i rrallë, një zotni si thonë tironsit, një ish-futbollist që për më shumë se një dekadë ishte fisniku i fushës së blertë, një qytetar 100 karat, një model i veshjes dhe sjelljes, një futbollist që e veshi fanellën e ekipit kombëtar që në moshën 18 vjeç dhe ky është ALI MEMA.
Në kohën kur ai erdhi në fushën e blertë kishte dhe mesfushor të tjerë, ishte Ragami e Shllaku...por Mema befasoi, me energjinë, me vizionin, pasimin dhe goditjen me këmbë dhe me kokë. Një teknikë e lartë e kontrollit të topit në vend dhe në ecje, pasimi i shkurtër dhe ai i gjatë preçiz, dinamizmi që ndërtonte ishin të tillë të nivelit prej talenti.
Me Skënder Hykën dhe Luigj Bytycin në mesin e fushës dhe me treshen e sulmit vrastare Niko Xhaçka, Bahri Ishka që luanin nga krahët dhe Arben Bukovikun në qëndër, pas vitit 1965 ekipi Tiranës, 17 nëntori në atë kohë, solli në Shqipëri futbollin modern. Mos harrojmë se luante Skender Halili, Fatmir Frashëri e Gëzim Kasmi në atë skuadër... Provat u bënë më Ajaksin e Amsterdamit që po revolucionarizonte futbollin botëror duke sjellur atë që u quajt futbolli total...
Gjithmonë kam pasur respekt për Ali Memën, model në fushë, kurrë nuk kundërshtoi gjykimin, kurrë nuk dëmtoi kundërshtarin, kur nuk e shkeli etikën sportive, një shëmbull i olimpizmit sportiv...Gjithnjë me biçikletë dimër verë...Edhe kur drejtoi si trainer, modest në sjellje dhe i suksesshëm në fushë...ALI MEMA i ke bërë Tiranës, ekipit kombëtar dhe na ke bërë ne të gjithëve që si thonë francezët ----CHAPEAU-të të heqim kapelen. Jetë të gjatë fisnik!
Pkabo 1 shkurt 2018
[gallery columns="1" size="full" ids="199549"]