Redon Xhixha ishte padyshim një nga afrimet më të bujshme të kësaj merkatoje në Superiore. Sulmuesi vendosi që të mbyllte aventurën me Bleouzidad në Algjeri, për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar me fanellën e Tiranës.
Megjithatë, bardheblutë s’ishin të vetmit që donin 27-vjeçarin në ekip. Për Xhixhën, interes të fortë shfaqi edhe Partizani, duke e kontaktuar herë pas here, madje që para se merkato të niste.
Por siç duket, Refik Halili ka punuar më mirë në këtë aspekt, për të bindur Xhixhën që t’u bashkohej në një moment kritik. Sigurisht që zgjedhja e 27-vjeçarit ka të bëjë edhe me ambientimin.
Kështu, Partizani mbeti “thatë” edhe pse dëshira ishte tepër e madhe për ta pasur në organikë. Dëshirën e të kuqve, e “likuidoi” më së miri presidenti Halili, duke mos lejuar që t’u “falte” rivalëve një lojtar cilësor si Xhixha.
Një tjetër “aspekt” që ka bindur sulmuesin nga Laçi, është projekti dhe forma aktuale. Duke parë që Tirana rrezikon seriozisht rënien, me afrimet e fundit duket se projekti i ri është mjaft shpresdhënës, për një ekip që nga lufta për mbijetesë, pse jo të shkojë akoma më lart.
Tirana është një skuadër që sulmuesi ia di “kleçkat”, pasi ka kaluar pothuajse 2 sezone aty, duke u shpallur dhe kampion. Halili fitoi kështu “derbin” e dytë për këtë sezon, por kësaj here jashtë fushe, duke mposhtur të kuqtë në merkato.
Kujtojmë se Xhixha ka luajtur me bardheblutë 55 ndeshje, duke ia dalë që të shënojë 32 gola e të asistojë në 7 të tjerë.
