Trajneri italian i Skënderbeut, Andrea Agostineli, ka folur një ditë pas takimit miqësor me Korabin për të treguar më me detaje përshtypjet që i la ekipi në fushën e lojës.
“Më pëlqeu shumë dëshora për të luajtur e futbollistëve. Të gjithë ishin mjaft të impenjuar dhe përqëndruar edhe pse ishte vetëm një miqësore. Këtë grintë dua ta shoh gjithnjë nga lojtarët e mi. Çaluam në anën fizike por kjo është normale pasi kemi vetëm 6 ditë stërvitje. Korabi ishte kundërshtar cilësor, do të jetë një realitet i bukur në kampionat”, ka thënë Agostineli për “Panorama Sport”.
Italiani gjithashtu ka gjetur mundësinë të sqarojë njëherë e mirë çështjen e Emiljano Vilës, i cili është përfolur shumë për një transferim te Skënderbeu.
“Emiljano Vila është një futbollist shumë i mirë dhe këtë gjë e tregoi më së miri vjet, por ne nuk kemi nevojë për përforcime të tjera. Unë mendoj se kam një grup të kompletuar. Mund të ketë vetëm ndonjë largim nga ata që nuk do më bindin”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.