
Ditën e sotme Partizani mbush 77 vjeç. Klubi i themeluar më 4 shkurt 1946 feston 77 vite dashuri, histori, krenari. Partizani lindi si klubi përfaqësues i partizanëve që luftuan në Luftën e Dytë Botërore. Ndeshjen e parë e zhvilluan përballë Vllaznisë në një miqësore në janar 46’.
Ndërsa sfidën e parë zyrtare e luajtën më 7 prill 1946 kundër 17 Nëntorit. Që nga atëherë Partizani ka fituar 16 herë kampionatin dhe 15 herë Kupën e Shqipërisë. Suksesin më të madh ndërkombëtar “të kuqtë” e arritën në vitin 1970 kur u shpallën kampion ballkanik. Me skuadrën kryeqytetase kanë luajtur shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, ku mjafton të përmendim Panajot Panon.
Gjithashtu kanë qenë pjesë e Partizanit edhe emra si Refik Resnja, Perlat Musta, Loro Boriçi, Genci Tomori, Ylli Shehu, Ilir Shulku, Sulejman Starova etj. Nga akademia e “te kuqve” kanë dalë talente gjithnjë të cilet kanë shkëlqyer edhe në arenën ndërkombëtare si Igli Tare dhe Erion Bogdani.
Partizani feston këtë ditëlindje, e renditur e 2-ta në kampionat me shpresën për të dalë kampion për herë të 17-të në historinë e vet.