Ditën e shtunë në orën 14:00 do të luhet ndeshja mes Kukësit dhe Laçit, e vlefshme për javën e 18-të të Superiores. Në lidhje me këtë sfidë, është vendosur edhe takimi, që do të luhet në stadiumin e Kamzës. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi verilindor me anë të një postimi në faqen zyrtare në "Facebook".
Hyrja për këtë sfidë do të jetë falas dhe presidenti i nënkampionëve, Safet Gjici kërkon nga tifozët që të mbushin shkallët e stadiumit, duke e përkrahur skuadrën e tyre në mënyrë që edhe lojtarët të kenë më shumë moral, duke shkuar kështu më të sigurt në arritjen e objektivit, që është fitimi i titullit kampion.
"Ndeshja e Javës së XIX-të për Kategorinë Superiore, Kukësi-Laçi, do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës ditën e shtunë, ora 14:00.
Numri një i Futboll Klub Kukësit, Safet Gjici, ka vendosur që për këtë ndeshje hyrja në stadium e tifozëve dhe sportdashësve të jetë pa pagesë.
Gjithashtu, Presidenti iu bën thirrje të gjithë tifozëve, që të ndjekin nga afër skuadrën tonë duke mbushur stadiumin në këtë sfidë të rëndësishme për Kategorinë Superiore".