
UEFA ka vendosur që skuadrat pjesëmarrëse në fazën finale të Europianit 2020 të kenë nga 26 lojtarë të gatshëm dhe jo 23 siç ka qenë më herët. Zgjerimi i organikës së skuadrave vjen në një moment kur vetë Kombëtaret kanë kërkuar diçka të tillë si pasojë e ngjeshjes së kalendarit dhe ndeshjeve çdo tri ditë.
Vendimi zyrtar ka ardhur sot, me skuadrat që do kenë të gatshëm 26 lojtarë, ndërsa tre prej tyre do mbeten jashtë ndeshjeve. Kështu, në pragndeshje trajnerët do bëjnë listën e lojtarëve më në formë, duke zgjedhur 23 nga 26 prej tyre. "Fryrja" e listës do ju vijë në ndihmë trajnerëve dhe skuadrave, duke marrë parasysh dëmtimet e mundshme.
Secila skuadër do zhvillojë minimum tre sfida në grupe, me Europianin që zhvillohet këtë verë nga 11 qershori në 11 korrik në 12 qytete europiane. Kujtojmë se prej pandemisë së Covid-19, kjo garë u shty për këtë verë duke mos ndryshuar emërtimin nga EURO 2020.
"Listat e skuadrave do të dorëzohen më 1 qershor, por skuadrat do të jenë në gjendje të bëjnë zëvendësime pa limit në rast lëndimi apo sëmundje serioze, përfshirë Covid, para ndeshjes së parë. Portierët mund të zëvendësohen përpara çdo ndeshjeje", thuhet në njoftimin e UEFA.