
Superligës së Zvicrës në futboll i është shtuar edhe një shqiptar, fjala është për Shkëlqim Demhasajn.
Sulmuesi 21 vjeçar nga Kosova, Shkëlqim Demhasaj, ka bërë të ditur se nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Superligën e Zvicrës.
Ai është larguar nga FC Schaffhausen për t’u transferuar te Luzern, që do të luajë në Europa League.
Lajmi e ka bërë të ditur vetë lojtari në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale.
“Sot edhe zyrtarisht jam larguar nga klubi i zemrës për të nënshkruar kontratë me Luzernin në Superligën e Zvicrës. Dua t’i falënderojë të gjithë në Schaffhausen për mundësinë e dhënë dhe besimin që patën tek unë. Tani më pret një aventurë e re ku shpresoj të kem sukses. Tani është koha”, ka shkruar Shkëlqim Demhasaj në llogarinë zyrtare në Facebook.
Shkëlqim Demhasaj te Luzerni i bashkohet mesfushorit të Kosovës, Hekuran Kryeziu.
21 vjeçari kosovar e mbylli sezonin me Schaffhausen duke shënuar 18 gola derisa ka dhuruar edhe katër asiste.