
Enis Gavazaj është lojtari më i ri i Lirisë së Prizrenit. Ish-sulmuesi i Skënderbeut të “artë”, pasi mbylli aventurën me ekipin e Drenicës, vendosi të niste një të re me rikthimin te Liria, aty dhe ku nisi karrierën si futbollist.
Lajmin për tranfserimin e Gavazajt e ka bërë të ditur vetë klubi i Lirisë me anë të një postimi në faqen zyrtare, teksa për herë të parë pas këtij rikthimi ka folur dhe vetë futbollisti.
“Jam kthyer aty ku më rreh zemra. Aty ku nisa të marr hapat e karrierës. Do të bëjmë ç’mos të mbetemi në Superligë”, është shprehur 28-vjeçari.
Për ekipin e Lirisë, Gavazaj pritet të jetë një vlerë e shtuar në repartin e sulmit për objektivin “mbijetesë”.
Përsa i përket karrierës së Enis Gavazaj, ky i fundit ka luajtur në shumë ekipe shqiptare si Prishtina, Skënderbeu, Kukësi, Dinamo, Struga, por dhe në Belgjikë te Gent apo Roeselare, apo te Dinamo Minsk në Bjellorusi.