Largimi nga Reali i Madridit mund të ketë një anë të mirë për Gareth Bale. Uellsiani nuk preferohet më nga klubi spanjoll, me trajnerin Zinedine Zidane që kërkoi edhe publikisht largimin e tij. Kjo zemëroi agjentin e tij, Jonathan Barnett, por çmendi skuadrat që duan shërbimet e tij.
Plot 1.77 milionë dollarë në javë është oferta që vjen nga Superliga kineze, me Beijing Sinobo Guoan që kërkon ta bëj 30 vjeçarin futbollistin më të paguar në botë.
4 herë fituesi i UEFA Champions League do të shndërrohej kështu në një makineri të vërtetë parash, duke parakaluar edhe një jashtëtokësor si Lionel Messi. Ylli i Barcelonës fiton rreth 900 mijë dollarë në javë.
Në rast se Bale e pranon këtë ofertë, paga vjetore e tij do të kapte shifrat e 92,3 milionë dollarë, pak më pak se shifra që Reali i Madridit pagoi te Tottenham Hotspur për ta marrë në verën e vitit 2013.
Në disfavor të skuadrës kineze është fakti se merkato në Azi mbyllet më 31 korrik dhe nga kjo mund të përfitojë Bayern Munich, Tottenham apo dhe Manchester United.
