
Më datë 17 prill do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e KOKSH-it për të zgjedhur presidentin e ri. Pak ditë më parë, KOKSH bëri me dije se kishte përjashtuar disa Federata që nuk do të kenë të drejtë vote, mes tyre ishin Federata e futbollit, mundjes apo edhe peshëngritjes.
I ftuar në emisionin "Sporti në Syri TV", kandidati për president i KOKSH-it, Martin Biba ka sulmuar ashpër rivalin e tij, Fidel Ylli. Deputeti i PS ka vendosur të kandidojë për të marrë drejtimin e KOKSH, ndërsa nuk kanë munguar akuzat nga Biba që është shprehur se kjo nuk është normale.
"Pas dy ditësh janë zgjedhjet. Nëse më jepej mundësia të zgjidhesha president, do të kërkojë transparencë në çdo lloj vendimmarrje. Të ardhurat dhe si do të shpërndahen ato në sport. Akuzat kanë qenë të mëdha, është një terren i ngarkuar nëpërmjet presidentit të KOKSH dhe sekretarit të përgjithshëm dhe anëtarëve të komiteti, të cilët po presidenti i KOKSH i ka çuar në prokurori. Nuk është aspak normale , të shkosh në asamble një javë përpara zgjidhjeve politike me kostumin e deputetit, me kostumin e qeverisë me vete, me presionin e pushtetit nuk është aspak normale," u shpreh Biba.