
Volejbolli në Shqipëri është ndalur prej dy muajsh e ndryshe nga futbolli nuk ka marrë dritën jeshile për stërvitje. Qeveria ka vendosur vetëm stërvitje në ambiente të hapura dhe kjo pengon volejbollin apo edhe basketbollin. Në një lidhje në “Fan Zone”, Sekretari i Federatës së Volejbollit, Albens Vokopola u shpreh se do të presin deri në fund për të zbritur në fushë.
“Ne kemi disa data për të respektuar për garat europiane për klubet që do të luajnë në Europë edicionin tjetër. Kishim një takim që u inicua pas urdhërit të fundit të Ministrisë që fliste për kufizimet e aktiviteteve sportive.
Për momentin janë ndalur stërvitjet në ambientet e mbyllura e ne kishim një takim dhe ata nuk mund të thonë sot kur mund të fillohet, por janë duke monitoruar. Do të presim edhe disa ditë më shumë. Kemi disa skenar e ne shpresojmë që të fillojmë dhe kampioni të dal inga parketi.
Në Europë Federatat më në zë i kanë ndalur dhe i kanë pezulluar aktivitetet, por ne nuk dorëzohemi dhe shpresojmë deri në fund.
Një datë që është e fundit për rregjistrimin e ekipeve në Kupat europiane është 31 korrik. Ne do të kërkojmë më shumë kohë edhe pse ata duan verdiktet. Ne duke mos pasur qartësi se kur do të fillojë kampionati ne kemi lënë të hapur diskutimin me klubet. Nëse koha do të ngushtohet e ne do të dimë datat do t’ua themi klubeve”.