Armando Broja mbeti i zhgënjyer, pasi goli i tij i pestë i sezonit te Southampton nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar tre pikët kundër Brighton në St Mary’s sot.
Sulmuesi i Kombëtares kuqezi do realizonte një gol të bukur në minutën e 29, duke kaluar Shenjtorët në avantazh. 20 vjeçari u zëvendësua në minutën e 79, teksa në limitet e sfidës, Brighton barazoi ndeshjen.
Broja në konferencë pas sfidës duket se nuk e kapërdin dot që goli i tretë në Premier League, s’ishte mjaftueshëm për tri pikë.
“Është pak ndjenjë e keqe. Ndjehem sikur e meritonim të merrnim tre pikë, dominuam lojën, por është një grusht në bark të pranosh gol në minutën e fundit. Ne luajtëm shumë mirë sot. Mund të kishim shënuar edhe disa gola të tjerë. Mund të kisha shënuar edhe unë në rastet që pata, por një herë tjetër e di që mund të bëj më mirë në ato situata.
Ne do të vazhdojmë të punojmë si ekip dhe të vazhdojmë të zhvillohemi. Kemi një grup të mirë djemsh që punojnë të gjithë së bashku, kështu që shpresojmë se do të marrim disa pikë në tabelë. Na pëlqen të dalim para si skuadër dhe të shtyjmë, të jemi agresivë dhe këtë e treguam që në minutën e parë.
Ishim në këmbë dhe nuk lamë kundërshtarët të luanin futboll, kështu që ishte mirë të shënonim një gol shpejt, por është një zhgënjim i madh se si përfundoi ndeshja. Mund të marrim anët pozitive nga ndeshja, por duhet të kishim tri pikë. Ne duhet të kënaqemi me pikën dhe të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Broja.