
Maurizio Sarri duket se nuk e ka më autoritetin dhe kontrollin e plotë ndaj ekipit të Chelseat. Kriza e rezultateve në kampionat është shoqëruar dhe me dështimin për të fituar Carabao Cup (njërin prej trofeve të futbollit anglez) teksa "Blutë" u mposhtën nga penalltitë me rezultatin 3-4.
Ajo çfarë i shtoi më tepër dramë humbjes së Chelseat ishte refuzimi i portierit të Chelseat Kepa Arrizabalaga për t'u zëvendësuar pas 120 minutave lojë pasi pësoi dëmtim. Sarri përgatiti portierin e dytë Willy Caballero për ta hedhur në fushë, por në distancë spanjolli Arrizabalaga refuzoi kategorikisht dhe me kokëfortësi të linte fushën duke bërë me shenjë se nuk kishte shqetësime.
Mosbindja ndaj urdhërit të tij e acaroi pa masë Sarrin, i cili u largua në mënyrë demonstrative nga stadiumi.
Por si Sarri dhe Arrizabalaga rrezikojnë të ndëshkohen për ndeshjen e fundit. Italiani është në prag të shkarkimit nga posti i trajnerit të Chelseat, kurse spanjolli mund të përjashtohet për disa ndeshje dhe të gjobitet nga klubi.