
Napoli nuk shkoi më shumë sesa një barazim 3-3 ndaj Sassuolos. Një ndeshje e çmendur që u mbyll më fund dramatik për skuadrën e drejtuar nga Gatusso. Deri në minutën e 89-të, ndeshja ishte në barazim 2-2, Napoli fiton një penallti në të 90-të që kthehet në gol nga Insigne. Gjyqtari i ndeshjes akordon 5 minuta shtesë dhe në të 95-të, Sassolo fiton një tjetër penallti pas një faulli të Manolas brenda zonës.
Caputo nuk gaboi nga 11-m duke i hequr nga duart 3 pikë Napolit që pas ndeshjes shpërthyen në revolta. Trajneri Gatusso hoqi bluzen e tij duke e përplasur në tokë gjithë inat, ndërsa edhe kapiteni Insigne u shfaq tepër i irrituar madje duke ofenduar shokët e tij. "Çfarë skuadër e ndyrë", ka thënë sulmuesi i Napolit duke iu referuar bashkëlojtarëve të tij për të atë penallti në të 95-të.