Eva Buzo, shqiptarja e cila vendosi t’i sfidojë të gjithë, prej orësh tashmë po vazhdon notin drejt Vlorës. Ajo u nis ditën e djeshme, rreth orës 07:00 të mëngjesit dhe prej gati 25 orësh është duke vazhduar notin drejt tokës të së parëve të saj. Eva ka vijuar pa ndërprerje notin edhe gjatë orëve të natës dhe pritet që pasditen e sotme të mbërrijë në brigjet e Vlorës.
Gazetari vlonjat, Enrik Mehmeti, i cili që prej startimit të sfidës së shqiptares ka qenë duke përditësuar ndjekësit lidhur me rrugëtimin e Evës, së fundmi ka publikuar një tjetër video.
Në pamjet e publikuara, Eva ndonëse paksa e lodhur vazhdon të jetë e vendosur për të arritur qëllimin e saj. Nën shoqërinë e ekipit të saj, shqiptarja ka bërë një falenderim special për të gjithë miqtë e saj në Australi, aty ku dhe vetë avokatja prej vitesh jeton dhe punon.